Deklarata e Bolonjës e 19 Qershorit 1999

Deklaratë e Përbashkët e Ministrave të Arsimit të Evropës

Falë arritjeve të jashtëzakonshme të viteve të fundit, procesi Evropian po bëhet gjithnjë e më tepër një realitet i prekshëm e konkret për Unionin (Evropian) dhe qytetarët e tij. Perspektiva e zgjerimit dhe thellimi i marrëdhënieve me vendet e tjera evropiane, i ofrojnë një dimension tjetër më të gjerë këtij realiteti.
Aktualisht, jemi dëshmitarë të rritjes së ndërgjegjësimit publik në një pjesë të madhe të botës politike, akademike dhe të opinionit publik në përgjithësi, mbi nevojën e krijimit të një Evrope më të plotë e më të shtrirë gjeografikisht që do të mbështetet dhe zhvillohet tek dimensionet e saj intelektuale, kulturore, sociale, shkencore dhe teknologjike.
"Evropa e Njohurive" (Europe of Knowledge) vlerësohet tashmë si një faktor i pazëvendësueshëm i zhvillimit social dhe njerëzor dhe në të njëjtën kohë edhe si një komponent i rëndësishëm për konsolidimin dhe zhvillimin e qytetarisë evropiane nëpërmjet pajisjes së qytetarëve të saj me njohuritë e nevojshme për të përballuar sfidat e mijëvjeçarit të ri si dhe nëpërmjet ndërgjegjësimit për vlerat dhe trashëgiminë e një hapësire të përbashkët sociale dhe kulturore. Rëndësia e bashkëpunimit arsimor dhe jo-arsimor në zhvillimin dhe fuqizimin e shoqërive të qëndrueshme, paqësore e demokratike vlerësohet nga të gjithë si shumë e rëndësishme, aq më tepër në kontekstin e situatës ne Evropën jug-lindore.
Deklarata e Sorbonës e 25 Majit 1998, e cila nënvizon pikërisht këto konsiderata, ndërmjet të tjerash thekson edhe rolin qendror të Universiteteve në zhvillimin e dimensionit kulturor Evropian. Në këtë deklaratë theksohet krijimi i hapësirës evropiane të arsimit të lartë si një rrugë kyçe për promovimin e mobilitetit dhe punësimit të qytetarëve nga njëra anë dhe për zhvillimin e përgjithshëm të kontinentit nga ana tjetër.
Disa vende evropiane tashmë e kanë pranuar ftesën për t'u angazhuar për arritjen e objektivave të përcaktuara në këtë deklaratë dhe e kanë nënshkruar atë apo kanë shprehur aprovimin e tyre. Gatishmëria e disa qeverive për të ndërmarrë hapa konkrete është provuar nga reformat e arsimit të lartë që po zbatohen në disa nga këto vende.
Institucionet evropiane të arsimit të lartë, nga ana e tyre, e kanë pranuar sfidën dhe si rrjedhim kanë marrë një rol kryesor si në ndërtimin e hapësirës evropiane të arsimit të lartë ashtu dhe në ringjalljen e parimeve themelore të Bologna Magna Charta Universitatum të 1998. Ky fakt merr një rëndësi mjaft të madhe po të marrim në konsideratë se pavarësia dhe autonomia e Universiteteve garantojnë që arsimi i lartë dhe sistemet e kërkimit duhet që në mënyrë të vazhdueshme të adaptohen në përputhje me ndryshimet e nevojave dhe kërkesave të shoqërisë si dhe me ndryshimet e ardhura si pasojë e zhvillimit të shkencës në tërësi.
Aktualisht është përcaktuar si drejtimi ashtu dhe qëllimi i rrugës që duhet ndjekur. Arritja e një baze më të mirë për përputhshmërinë dhe krahasueshmërinë e sistemeve të arsimit të lartë nuk mund të realizohet pa një përpjekje të vazhdueshme. Ne duhet ta mbështesim atë nëpërmjet promovimit të masave dhe planeve për realizimin e hapave konkrete në këtë drejtim. Në takimin e 18 Qershorit morën pjesë shumë ekspertë dhe akademikë me reputacion nga të gjitha vendet tona, të cilët na ndihmuan me mjaft sugjerime dhe iniciativa që do të duhet të konsiderohen.
Një vëmendje mjaft të veçantë duhet t'i kushtojmë objektivit për rritjen e konkurrencës ndërkombëtare në sistemin evropian të arsimit të lartë. Vitaliteti dhe efikasiteti i çdo civilizimi mund të matet nga jehona e kulturës së tij në vendet e tjera. Ne duhet të sigurojmë që sistemi evropian i arsimit të lartë të fitojë një shkallë të lartë tërheqjeje në mbarë botën, të njëjtë me ate të traditës kulturore dhe shkencore.
E ndërsa shprehim mbështetjen për parimet e përgjithshme të përcaktuara në deklaratën e Sorbonës, ne angazhohemi për koordinimin e politikave tona për të arritur në një kohë të shkurtër (dhe sidoqoftë brenda dekadës së parë të mijëvjeçarit të tretë), objektivat e mëposhtme, të cilat në i konsiderojmë si prioritare për krijimin e një hapësire evropiane të arsimit të lartë dhe për promovimin e sistemit evropian të arsimit të lartë në mbarë botën:

Ne angazhohemi që të arrijmë këto objektiva brenda kuadrit të kompetencave tona institucionale duke respektuar plotësisht diversitetin e kulturave, gjuhëve, sistemeve kombëtare të arsimit dhe autonominë universitare , për konsolidimin e hapësirës evropiane të arsimit të lartë. Për këtë qëllim, ne do te ecim në rrugën e bashkëpunimit ndërqeveritar, së bashku me ato organizata joqeveritare evropiane të cilat kanë kompetenca mbi arsimin e lartë. Ne shpresojmë që përsëri, universitetet të reagojnë me shpejtësi, pozitivisht dhe të kontribuojnë në mënyre aktive për suksesin e kësaj iniciative.
Të bindur se krijimi i hapësirës evropiane të arsimit të lartë, kërkon në mënyrë konstante: mbështetje, supervizion dhe adoptim ndaj nevojave që janë në ndryshim të vazhdueshëm, ne vendosim që të takohemi përsëri brenda dy vjetësh me qëllim që të vlerësojmë progresin e arritur dhe hapat e reja që do të duhet të ndërmerren.

Nënshkruar nga 29 vende: Gjermani, Austri, Belgjikë, Bullgari, Danimarkë, Estoni, Spanjë, Filandë, Francë, Greqi, Hungari, Irlandë, Islandë, Itali, Letoni, Lituani, Luksemburg, Maltë, Norvegji, Hollandë, Poloni, Portugali, Angli, Çeki, Rumani, Sllovaki, Slloveni, Suedi, Zvicër.